Mënyrat më të shpeshta të mashtrimeve në internet

Më poshtë janë të përshkruara disa nga tentimet më të përhapura për mashtrim në internet dhe mënyrën e mbrojtjes nga ato.

Puno nga shtëpia

Problemet e zhvillimit ekonomik të ngadalshëm në vendet në zhvillim dhe stagnimi i përsëritur ekonomik në vendet e zhvilluara ka bërë paraqitjen e sistemeve të reja të punësimit ku në pah vijnë kompanitë e ndërmjetësimit të cilat për leverdi ekonomike merren me menaxhimin e fuqisë punëtore për kompani të caktuara ose edhe ofrojnë kompani me mandate të përkohshme.

Ekzistimi real i këtyre kompanive ka mundësuar paraqitjen e hijeve të tyre në internet ku mashtruesit në emër të ndërmjetësimit ofrojnë vende pune me mundësi të ndryshme, madje edhe fitim parash pa punuar fare. Këto oferta pune me orar të plotë ose me orar të shkurtuar e madje edhe ma punuar fare kërkojnë angazhimin e “të interesuarve“ në forma të ndryshme të cilat u fusin në listën e të mashtruarve, sepse në fund të fundit nuk keni fituar asgjë, e që janë: mbushja e pyetësorëve të ndryshëm me të cilin veprim hyni në listë për të fituar diç me vlerë, klikimi mbi reklama ku fitoni dhe ju me ato klikime, shitja e produkteve e shërbimeve miqve tuaj për të marrë pjesë në atë fitim dhe ju, futja e të dhënave tuaja private në formularët e „punësimit“, hapja e kontove të zbrazëta bankare dhe dhënia e të dhënave ofruesve të „vendit të punës“ ku ata përdorin konton tuaj për të „larë“ paratë, përdorimi i emrit dhe adresës suaj për të dërguar postë/paket nga një në adresa tjera.

Si të mbroheni: Nëse oferta e cila u bëhet u duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë dhe ofruesi është i pa njohur, atëherë e lini fare sepse është mashtrim.

Faqet e takimeve personale

Këto faqe anë popullarizuar fillimisht në vendet e zhvilluara si nevojë për njoftimin e njerëzve mes veti nga pamundësia për të gjetur partnerë për jetë. Tek ne shqiptarët është bërë shumë e njohur kjo sferë pothuajse për të gjitha moshat e meshkujve, e madje edhe të femrave të cilët në të shumtën e rasteve i shfrytëzojnë për aventura.

Me gjithë seriozitetin e kompanive që ofrojnë këto shërbime mund të vërehen tre lloj mashtruesish të cilët gjuajnë „gjahun“ në mënyrë të vazhdueshme për të përfituar financiarisht në mënyrë direkt ose indirekte. Tre llojet kryesore të mashtrimeve janë: 1) anëtarët mashtrues të cilët mashtrojnë anëtarët tjerë, 2) faqet të cilat deklarohen si falas dhe ofrojnë shërbime falas e që u detyrojnë të paguani pas abonimit dhe 3) faqet të cilat u vjedhin të dhënat anëtarëve dhe ua shesin palëve tjera të interesuara për ato të dhëna.

Si të mbroheni: Mos u regjistroni në faqe të tilla, por kërkoni shkues. Meqë keni vendosur të regjistroheni, atëherë shihni mirë nëse shërbimi është falas dhe informohuni në internet rreth faqes në të cilën dëshironi të regjistroheni, se si përdoruesit nëpër botë vlerësojnë atë faqe. Nëse tanimë jeni regjistruar, mos u dërgoni para personave të pa njohur, edhe nëse u ofrojnë biznese të leverdishme.

Mashtrimi nigerian/419/Nevojitet ndihma juaj

Përfshinë një mori lloje të teksteve që dërgohen nëpër posta private. Kërkon ndihmë ndonjë princ, bankier, posedues kompanie, menaxher, politikan. Të gjithë këta që kërkojnë ndihmë nuk duan asgjë financiarisht nga ju sepse këta tanimë janë të pasur, por u nevojitet ndihmë që pasurinë e tyre te e transferojnë nga vendlindja e tyre në një vend të sigurt.

Kështu që atyre u nevojiten të dhënat tuaja si dhe kontoja bankare ose mbase herë pas here nëse fillohet diskutimi me ata kërkojnë edhe një mbështetje të vogël (2000-3000€) për të realizuar disa veprime meqë paratë që do të dërgohen në konton tuaj njëherë për njëherë janë të bllokuara. Juve do tu dërgohen 1 milion €. Këto posta njihen si mashtrimi nigerian sepse në kohën e paraqitjes së parë të këtyre postave kërkohej „ndihmë“ nga banorët nigerian për të transferuar paratë e tyre nga shteti i tyre i korruptuar, nga kriza në vend. Mashtrimet aso kohe kishin arritur kulmin nga që njerëzit tregonin solidaritet dhe ndihmonin nigerianët (në fakt ishin mashtruesit që mblidhnin paratë) të zgjidhnin problemet e tyre.

Si të mbroheni: Këto posta edhe nëse i lexoni, MOS klikoni në asnjë nyje, MOS dërgoni të dhënat tuaja askujt, MOS dërgoni informacionet bankare, MOS kontaktoni personin që u ka shkruar këtë postë meqë i tërë procesi është mashtrim për të marrë informacionet tuaja ose edhe para.

Produkte mjekësore

Faqet e internetit dhe porositë që bëjnë marketing të produkteve mjekësore kanë bare për çdo sëmundje, madje edhe për ato që mjekësia serioze akoma nuk ka përgjigje. Mjeku online ka një mur diploma dhe është ekspert i disa sëmundjeve i cili u sugjeron barëra dhe terapinë e caktuar.

Në internet qarkullojnë qindra barëra kundër rënies së flokëve, kundër plakjes, kundër sëmundjeve të lëkurës, kundër trashjes, etj.  Kryesore në këtë fushë është se reagimi i medikamenteve është shumë i shpejtë, sa çelë e mbyllë sytë ju ia keni arritur qëllimit.

Si të mbroheni: Shkoni te mjeku. Nëse keni probleme, atëherë konsultoni mjekun dhe i lini sugjerimet në internet. Ka shumë faqe sugjerimesh të cilat janë me vlerë të madhe për të realizuar veprime në internet, për të riparuar kompjuterin, automobilin e të tjera, por shëndeti është diç e nivelit tjetër. Shëndetin tuaj mund të e vlerësojë mjeku i cili merret personalisht me ju.

Faqe të falsifikuara zyrtare

Është një sferë e besimit ndaj institucioneve që në këtë pikë vihet në krye. Shumë posta elektronike dërgohen në emër të kompanive, institucioneve serioze e madje edhe në emër të shtetit. Porositë në posta të tilla zakonisht janë serioze dhe përmbajnë nyje ku ju për informim të mëtutjeshëm duhet të klikoni, ose posta elektronike ku ju duhet të përgjigjeni.

Porosi të tilla shpërndahen me miliona tek përdoruesit të cilët kanë konto tek faqet e njohura si Facebook, Twitter, Linkedin e të tjera. Të gjitha porositë vijnë nga një postë e këtyre kompanive e në fakt janë porosi mashtrimi të dërguara nga mashtruesit. Postat elektronike zakonisht këto porosi drejtpërdrejtë i dërgojnë në shportë hedhurinash, së paku këtë e bën pa asnjë problem Gmail.

Si të mbroheni: Fillimisht nëse ju nuk keni kontaktuar ndonjë kompani, institucion privat ose ndonjë institute të shtetit, atëherë kur ju arrin ndonjë porosi e tillë duhet të e lexoni me kujdes. Kontrolloni postën e dërguesit, që zakonisht është „origjinale“, pastaj tekstin dhe në fund edhe nyjat e bashkëngjitura ose postën ku duhet të përgjigjeni. Nyjat mund të i kontrolloni duke ofruar miun mbi nyje pa e klikuar ose përmes instalimit të softuerit për shfletues WOT. Sa i përket postës ku duhet të përgjigjeni, është e thjeshtë, nëse ajo postë nuk është e njëjta sikur ajo që u ka shkruar, ose nëse ajo post nuk është e së njëjtës kompani, atëherë mos u përgjigjni. Është mashtrim. 

Softuerë me nën-softuerë

Është një sistem shumë i marketingut kohëve të fundit. Nëse instaloni softuer falas, i cili ndodh të është shumë i mirë për nevojat tuaja të caktuar, shpesh herë ndodhë që pas instalimit të tij diç nuk është në rregull me kompjuterin tuaj, ose kur të shihni në desktop ju nuk keni instaluar një, por më shumë se një softuer.

Madje në disa raste instalohen softuer të cilët nuk e dini që i keni instaluar e që punojnë në prapavijë. Mbledhin të dhëna nga veprimet tuaja, e skena më e keqe është ajo e mbledhjes së të dhënave bankare që shpie drejt plaçkitjes suaj financiare.

Si të mbroheni: Mos instaloni softuerë nga burime të pa njohura. Fillimisht informohuni, në internet, mbi softuerët që doni t’i instaloni, pastaj i instaloni ato. Nëse instaloni softuerë falas, ose me kod të hapur, atëherë MOS klikoni next.. next… next, por secilin hap e shihni me kujdes se nuk bëhet name nëse instalimi u zgjatë edhe një minutë më tepër.

Mashtrimet në Facebook

Janë bërë më të njohurat kohëve të fundit dhe kanë bombarduar edhe përdoruesit shqiptarë me të madhe. Profilet e njerëzve “serioz” e të tjerë stërmbushen me postime e foto të llojeve të ndryshme “Ekspertët“ e mashtrimeve në internet shfrytëzojnë kuriozitetin e njerëzve për të depërtuar më tej në mbledhjen e të dhënave tuaja, instalimin e softuerëve të ndryshëm në kompjuterin tuaj, instalimin e viruseve, të mini-softuerëve të cilët mbledhin të dhënat tuaja, shfrytëzimin e IP adresës suaj për nevoja të tyre, si dhe plaçkitjen tuaj.

Ata shfrytëzojnë çdo mënyrë për tu bërë veprues, qoftë ajo përmes të kënaqurit tuaj ose përmes nxitjes së ndjenjës së keqardhjes. Ndër format më të përhapura në Facebook janë : 1) shih këtë video (fillimisht bëje “Like”, pastaj mund të shohësh), 2) s’po më besohet çfarë pashë, 3) shih kush ka vizituar profilin tuaj, 4) këtë ua ka dërguar x personi, 5) nëse i jepni “like” i ndihmoni, 6) ndihmoni me pak para se ka kancer, 7) luani lojën pa pagesë, 8) testoni IQ tuaj, 9) u përgjigja për ty, 10) edhe ti je në foto, etj..

Si të mbroheni: Kini kujdes nga faqet dhe porositë e pa njohura qoftë edhe nëse u vijnë nga miqtë tuaj. Shumica nuk e kanë idenë se çfarë janë duke bërë dhe vetëm klikojnë nëpër nyje. Mos t’u mbysë edhe juve kurioziteti siç i mbyt të tjerët. Nëse e keni bërë “Like” një faqe të tillë, largohuni sepse ata vazhdimisht dërgojnë porosi të tilla. Nëse kërkohet ndihmë atëherë duhet të vërtetoni personalitetin e kërkuesit, përndryshe të largoheni dhe të mos klikoni mbi ato nyje. Të gjithë titujt „interesat“ janë mashtrime.  

Nxitje të keqardhjes

Janë rezultat i shumë ndodhive në botën e cila na prekë shpirtërisht. Fëmijë të vrarë, gra të përdhunuara, burra të masakruar, jetimë. Uri kudo, skamje sa të duash, mashtrim sa të duash. Kjo është situatë e frytshme për mashtruesit të cilët u dërgojnë posta ku përshkruajnë ngjarje të dhimbshme të cilat mund t’i zbusni nëse ndihmoni me një sasi të caktuar monetare.

Fundja nëse nuk keni mundësi financiare, atëherë shpërndani këtë porosi. Në këtë rast ju jeni bërë pjesë e zinxhirit mashtrues ku nuk përfitoni asgjë, por nga vullneti i mirë ndihmoni mashtruesit.

Si të mbroheni: Mos dërgoni para përmes internetit, sepse ata që kanë aq halle nuk kanë kohë të rrinë në internet dhe të dërgojnë porosi anë e kënd botës. ua doni të mirën miqve tuaj, mos u thoni se nëse nuk e shpërndajnë këtë porosi do u ndodh diç e keqe ose s’janë njerëz të mirë sepse në këtë rast ju jeni ai i keqi që ndihmon të keqen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *